Sure 42 Esh Shura, ajet 30 – 43

  1. وَمَا أَصَابَكُمْ مِنْ مُصِيبَةٍ فَبِمَا كَسَبَتْ أَيْدِيكُمْ وَيَعْفُو عَنْ كَثِيرٍ

    Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë.

    42:30
  2. وَمَا أَنْتُمْ بِمُعْجِزِينَ فِي الْأَرْضِ ۖ وَمَا لَكُمْ مِنْ دُونِ اللَّهِ مِنْ وَلِيٍّ وَلَا نَصِيرٍ

    Në këtë Tokë ju nuk mund t’i shpëtoni Atij, sepse, veç Allahut, nuk ka tjetër mbrojtës apo ndihmës për ju.

    42:31
  3. وَمِنْ آيَاتِهِ الْجَوَارِ فِي الْبَحْرِ كَالْأَعْلَامِ

    Një prej shenjave të Tij janë anijet e mëdha që lundrojnë në det – si malet.

    42:32
  4. إِنْ يَشَأْ يُسْكِنِ الرِّيحَ فَيَظْلَلْنَ رَوَاكِدَ عَلَىٰ ظَهْرِهِ ۚ إِنَّ فِي ذَٰلِكَ لَآيَاتٍ لِكُلِّ صَبَّارٍ شَكُورٍ

    Nëse Ai do, e qetëson erën dhe ato mbesin të palëvizshme në sipërfaqen e tij (detit). Këtu ka shenja për çdokënd që është i durueshëm dhe mirënjohës.

    42:33
  5. أَوْ يُوبِقْهُنَّ بِمَا كَسَبُوا وَيَعْفُ عَنْ كَثِيرٍ

    Ose, Ai mund t’i fundosë anijet, për shkak të gjynaheve që kanë bërë ata. Sidoqoftë, Ai fal shumë.

    42:34
  6. وَيَعْلَمَ الَّذِينَ يُجَادِلُونَ فِي آيَاتِنَا مَا لَهُمْ مِنْ مَحِيصٍ

    Le ta dinë ata që vënë në dyshim shenjat Tona, se nuk kanë ku t’i shmangen dënimit Tonë.

    42:35
  7. فَمَا أُوتِيتُمْ مِنْ شَيْءٍ فَمَتَاعُ الْحَيَاةِ الدُّنْيَا ۖ وَمَا عِنْدَ اللَّهِ خَيْرٌ وَأَبْقَىٰ لِلَّذِينَ آمَنُوا وَعَلَىٰ رَبِّهِمْ يَتَوَكَّلُونَ

    Çdo gjë që ju është dhënë juve, është vetëm kënaqësi në jetën e kësaj bote. Por shpërblimi i Allahut është më i mirë dhe më i përhershëm për ata që besojnë dhe mbështeten te Zoti i tyre;

    42:36
  8. وَالَّذِينَ يَجْتَنِبُونَ كَبَائِرَ الْإِثْمِ وَالْفَوَاحِشَ وَإِذَا مَا غَضِبُوا هُمْ يَغْفِرُونَ

    për ata që ruhen prej gjynaheve të mëdha e mbrapshtive dhe që, kur i zemëron dikush, falin;

    42:37
  9. وَالَّذِينَ اسْتَجَابُوا لِرَبِّهِمْ وَأَقَامُوا الصَّلَاةَ وَأَمْرُهُمْ شُورَىٰ بَيْنَهُمْ وَمِمَّا رَزَقْنَاهُمْ يُنْفِقُونَ

    për ata që i përgjigjen thirrjes së Zotit të tyre, e falin namazin rregullisht dhe këshillohen për punët e veta me njëri-tjetrin; për ata që ndajnë lëmoshë prej asaj që u kemi dhënë Ne;

    42:38
  10. وَالَّذِينَ إِذَا أَصَابَهُمُ الْبَغْيُ هُمْ يَنْتَصِرُونَ

    dhe për ata që, kur i godet ndonjë padrejtësi e madhe, i bëjnë qëndresë dhe marrin hak.

    42:39
  11. وَجَزَاءُ سَيِّئَةٍ سَيِّئَةٌ مِثْلُهَا ۖ فَمَنْ عَفَا وَأَصْلَحَ فَأَجْرُهُ عَلَى اللَّهِ ۚ إِنَّهُ لَا يُحِبُّ الظَّالِمِينَ

    Shpërblimi për të keqen është i njëjtë me atë të keqe. Por, atë që fal dhe pajton, e pret shpërblimi i Allahut. Ai, në të vërtetë, nuk i do të padrejtët.

    42:40
  12. وَلَمَنِ انْتَصَرَ بَعْدَ ظُلْمِهِ فَأُولَٰئِكَ مَا عَلَيْهِمْ مِنْ سَبِيلٍ

    Për atë që përgjigjet, kur i është bërë një padrejtësi, nuk ka kurrfarë qortimi ndaj tij.

    42:41
  13. إِنَّمَا السَّبِيلُ عَلَى الَّذِينَ يَظْلِمُونَ النَّاسَ وَيَبْغُونَ فِي الْأَرْضِ بِغَيْرِ الْحَقِّ ۚ أُولَٰئِكَ لَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ

    Qortim ka vetëm kundër atyre që u bëjnë keq njerëzve dhe që pa të drejtë mbjellin ngatërresa në Tokë; për ata ka dënim të dhembshëm.

    42:42
  14. وَلَمَنْ صَبَرَ وَغَفَرَ إِنَّ ذَٰلِكَ لَمِنْ عَزْمِ الْأُمُورِ

    Kushdo që duron dhe fal, ta dijë se, në të vërtetë, këto janë nga veprimet më të virtytshme.

    42:43

Përkthim: Hasan Nahi