Sure 41 Fussilet, ajet 45 – 54

  1. وَلَقَدْ آتَيْنَا مُوسَى الْكِتَابَ فَاخْتُلِفَ فِيهِ ۗ وَلَوْلَا كَلِمَةٌ سَبَقَتْ مِنْ رَبِّكَ لَقُضِيَ بَيْنَهُمْ ۚ وَإِنَّهُمْ لَفِي شَكٍّ مِنْهُ مُرِيبٍ

    Vërtet, Ne ia dhamë Musait Librin, por rreth tij pati shumë mospajtime. Dhe, sikur të mos ishte Vendimi i Zotit tënd i dhënë më parë (për shtyrjen e gjykimit deri në Ditën e Kiametit), ata (që u përçanë) do të gjykoheshin menjëherë. Me të vërtetë, ata dyshojnë thellë në këtë.

    41:45
  2. مَنْ عَمِلَ صَالِحًا فَلِنَفْسِهِ ۖ وَمَنْ أَسَاءَ فَعَلَيْهَا ۗ وَمَا رَبُّكَ بِظَلَّامٍ لِلْعَبِيدِ

    Kush bën mirë, e bën për dobi të vet, e kush punon keq, punon në dëm të vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve të Tij.

    41:46
  3. إِلَيْهِ يُرَدُّ عِلْمُ السَّاعَةِ ۚ وَمَا تَخْرُجُ مِنْ ثَمَرَاتٍ مِنْ أَكْمَامِهَا وَمَا تَحْمِلُ مِنْ أُنْثَىٰ وَلَا تَضَعُ إِلَّا بِعِلْمِهِ ۚ وَيَوْمَ يُنَادِيهِمْ أَيْنَ شُرَكَائِي قَالُوا آذَنَّاكَ مَا مِنَّا مِنْ شَهِيدٍ

    Vetëm Allahu e di se kur do të vijë Ora. Kurrfarë frute nuk mund të dalë prej kupës së lules dhe asnjë femër nuk mund të mbetet shtatzënë apo të lindë pa dijeninë e Tij. Ditën kur Ai t’i thërrasë njerëzit e t’u thotë: “Ku janë ata zota që i quanit si ortakët e Mi?”, ata do të përgjigjen: “Askush prej nesh nuk dëshmon sot se ata janë ortakët e Tu.”

    41:47
  4. وَضَلَّ عَنْهُمْ مَا كَانُوا يَدْعُونَ مِنْ قَبْلُ ۖ وَظَنُّوا مَا لَهُمْ مِنْ مَحِيصٍ

    Idhujt, që ata i adhuronin më parë, do t’i zhgënjejnë dhe ata do ta dinë se nuk ka më shpëtim.

    41:48
  5. لَا يَسْأَمُ الْإِنْسَانُ مِنْ دُعَاءِ الْخَيْرِ وَإِنْ مَسَّهُ الشَّرُّ فَيَئُوسٌ قَنُوطٌ

    Njeriu nuk lodhet kurrë duke kërkuar të mirën, por, nëse e godet e keqja, ai menjëherë bie në dëshpërim dhe humb shpresën.

    41:49
  6. وَلَئِنْ أَذَقْنَاهُ رَحْمَةً مِنَّا مِنْ بَعْدِ ضَرَّاءَ مَسَّتْهُ لَيَقُولَنَّ هَٰذَا لِي وَمَا أَظُنُّ السَّاعَةَ قَائِمَةً وَلَئِنْ رُجِعْتُ إِلَىٰ رَبِّي إِنَّ لِي عِنْدَهُ لَلْحُسْنَىٰ ۚ فَلَنُنَبِّئَنَّ الَّذِينَ كَفَرُوا بِمَا عَمِلُوا وَلَنُذِيقَنَّهُمْ مِنْ عَذَابٍ غَلِيظٍ

    Nëse pas fatkeqësisë, Ne i japim atij që të shijojë nga mirësitë Tona, ai me siguri, do të thotë: “Këtë e meritoj! Unë nuk besoj se do të vijë Ora (e Kiametit), por, edhe nëse kthehem te Zoti im, sigurisht që Ai do të më japë shpërblimin më të mirë.” Në të vërtetë, Ne do t’i njoftojmë mohuesit për atë që kanë bërë dhe do t’i bëjmë të shijojnë një dënim të ashpër.

    41:50
  7. وَإِذَا أَنْعَمْنَا عَلَى الْإِنْسَانِ أَعْرَضَ وَنَأَىٰ بِجَانِبِهِ وَإِذَا مَسَّهُ الشَّرُّ فَذُو دُعَاءٍ عَرِيضٍ

    Kur njeriut i dhurojmë dhuntitë Tona, ai shmanget dhe na kthen kurrizin, mirëpo, kur atë e godet e keqja, ai lutet gjerë e gjatë.

    41:51
  8. قُلْ أَرَأَيْتُمْ إِنْ كَانَ مِنْ عِنْدِ اللَّهِ ثُمَّ كَفَرْتُمْ بِهِ مَنْ أَضَلُّ مِمَّنْ هُوَ فِي شِقَاقٍ بَعِيدٍ

    Thuaju, (o Muhamed): “Më thoni! Nëse ky Kuran është vërtet prej Allahut dhe ju e mohoni atë, atëherë kush është në humbje më të madhe se ai që është në kundërshtim të hapur me Të?!”

    41:52
  9. سَنُرِيهِمْ آيَاتِنَا فِي الْآفَاقِ وَفِي أَنْفُسِهِمْ حَتَّىٰ يَتَبَيَّنَ لَهُمْ أَنَّهُ الْحَقُّ ۗ أَوَلَمْ يَكْفِ بِرَبِّكَ أَنَّهُ عَلَىٰ كُلِّ شَيْءٍ شَهِيدٌ

    Ne do t’u tregojmë atyre shenjat Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe në vetvete, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë se ai (Kurani) është e vërteta. Vallë, a nuk të mjafton ty që, Zoti yt është Dëshmues i çdo gjëje?!

    41:53
  10. أَلَا إِنَّهُمْ فِي مِرْيَةٍ مِنْ لِقَاءِ رَبِّهِمْ ۗ أَلَا إِنَّهُ بِكُلِّ شَيْءٍ مُحِيطٌ

    Vërtet, ata dyshojnë në takimin me Zotin e tyre, por le ta dinë se Ai ka nën kontroll çdo gjë.

    41:54

Përkthim: Hasan Nahi