Sure 35 Fatir, ajet 8 – 14

  1. أَفَمَنْ زُيِّنَ لَهُ سُوءُ عَمَلِهِ فَرَآهُ حَسَنًا ۖ فَإِنَّ اللَّهَ يُضِلُّ مَنْ يَشَاءُ وَيَهْدِي مَنْ يَشَاءُ ۖ فَلَا تَذْهَبْ نَفْسُكَ عَلَيْهِمْ حَسَرَاتٍ ۚ إِنَّ اللَّهَ عَلِيمٌ بِمَا يَصْنَعُونَ

    A është ai, që veprat e veta të këqija i duken të mira (si ai që është i udhëzuar në rrugën e drejtë)? Me të vërtetë, Allahu shpie në humbje kë të dojë dhe udhëzon në rrugë të drejtë kë të dojë. Ti mos e shqetëso veten deri në shkatërrim për humbjen e tyre! Allahu është vërtet i Gjithëdijshëm për atë që bëjnë ata.

    35:8
  2. وَاللَّهُ الَّذِي أَرْسَلَ الرِّيَاحَ فَتُثِيرُ سَحَابًا فَسُقْنَاهُ إِلَىٰ بَلَدٍ مَيِّتٍ فَأَحْيَيْنَا بِهِ الْأَرْضَ بَعْدَ مَوْتِهَا ۚ كَذَٰلِكَ النُّشُورُ

    Allahu është ai që i dërgon erërat, të cilat lëvizin retë. Ne i drejtojmë ato në viset e vdekura e, nëpërmjet tyre gjallërojmë tokën, pasi ka qenë e shkretë. Kështu do të jetë edhe ringjallja.

    35:9
  3. مَنْ كَانَ يُرِيدُ الْعِزَّةَ فَلِلَّهِ الْعِزَّةُ جَمِيعًا ۚ إِلَيْهِ يَصْعَدُ الْكَلِمُ الطَّيِّبُ وَالْعَمَلُ الصَّالِحُ يَرْفَعُهُ ۚ وَالَّذِينَ يَمْكُرُونَ السَّيِّئَاتِ لَهُمْ عَذَابٌ شَدِيدٌ ۖ وَمَكْرُ أُولَٰئِكَ هُوَ يَبُورُ

    Kush dëshiron lavdi e pushtet, ta dijë se e gjithë lavdia e pushteti i takojnë Allahut. Tek Ai ngjiten fjalët e bukura, ndërsa veprën e mirë Ai e ngre Vetë. Sa i përket atyre që kurdisin të këqija, ata do të kenë dënim të rëndë dhe dredhitë e tyre do të dështojnë.

    35:10
  4. وَاللَّهُ خَلَقَكُمْ مِنْ تُرَابٍ ثُمَّ مِنْ نُطْفَةٍ ثُمَّ جَعَلَكُمْ أَزْوَاجًا ۚ وَمَا تَحْمِلُ مِنْ أُنْثَىٰ وَلَا تَضَعُ إِلَّا بِعِلْمِهِ ۚ وَمَا يُعَمَّرُ مِنْ مُعَمَّرٍ وَلَا يُنْقَصُ مِنْ عُمُرِهِ إِلَّا فِي كِتَابٍ ۚ إِنَّ ذَٰلِكَ عَلَى اللَّهِ يَسِيرٌ

    Allahu ju ka krijuar së pari prej dheut (Ademin), pastaj (pasardhësit e tij i ka krijuar) nga pika e farës dhe më në fund ju ka bërë çifte. Dhe asnjë femër nuk mbetet shtatzënë e as nuk lind pa dijeninë e Tij. Jeta e askujt nuk zgjatet e as nuk shkurtohet pa qenë e shënuar në Libër. Me të vërtetë, kjo për Allahun është e lehtë!

    35:11
  5. وَمَا يَسْتَوِي الْبَحْرَانِ هَٰذَا عَذْبٌ فُرَاتٌ سَائِغٌ شَرَابُهُ وَهَٰذَا مِلْحٌ أُجَاجٌ ۖ وَمِنْ كُلٍّ تَأْكُلُونَ لَحْمًا طَرِيًّا وَتَسْتَخْرِجُونَ حِلْيَةً تَلْبَسُونَهَا ۖ وَتَرَى الْفُلْكَ فِيهِ مَوَاخِرَ لِتَبْتَغُوا مِنْ فَضْلِهِ وَلَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ

    Edhe dy detet (llojet e ujit) nuk janë të njëjta: njëri është i ëmbël e i këndshëm dhe uji i pihet me shije, kurse tjetri është i njelmët dhe i hidhët. Ju ushqeheni me mish të njomë prej të dyve dhe prej tyre nxirrni stolitë që mbani. Shikoni anijet si çajnë ujin, ndërsa ju lundroni me to për të kërkuar nga dhuntitë e Tij. Ndoshta ju bëheni falënderues.

    35:12
  6. يُولِجُ اللَّيْلَ فِي النَّهَارِ وَيُولِجُ النَّهَارَ فِي اللَّيْلِ وَسَخَّرَ الشَّمْسَ وَالْقَمَرَ كُلٌّ يَجْرِي لِأَجَلٍ مُسَمًّى ۚ ذَٰلِكُمُ اللَّهُ رَبُّكُمْ لَهُ الْمُلْكُ ۚ وَالَّذِينَ تَدْعُونَ مِنْ دُونِهِ مَا يَمْلِكُونَ مِنْ قِطْمِيرٍ

    Ai e bën natën të kalojë në ditë dhe ditën të kalojë në natë. Ai i ka nënshtruar Diellin dhe Hënën, kështu që secili lëviz për një kohë të caktuar. Ky është Allahu, Zoti juaj. Pushteti është i Tij! Kurse ata që ju i adhuroni krahas Tij, nuk zotërojnë as sa cipa e bërthamës së hurmës.

    35:13
  7. إِنْ تَدْعُوهُمْ لَا يَسْمَعُوا دُعَاءَكُمْ وَلَوْ سَمِعُوا مَا اسْتَجَابُوا لَكُمْ ۖ وَيَوْمَ الْقِيَامَةِ يَكْفُرُونَ بِشِرْكِكُمْ ۚ وَلَا يُنَبِّئُكَ مِثْلُ خَبِيرٍ

    Nëse ju u luteni atyre, ata nuk e dëgjojnë lutjen tuaj, por edhe sikur ta dëgjonin, nuk do t’ju përgjigjeshin. Në Ditën e Kiametit, ata do ta mohojnë adhurimin që u bënit atyre. Askush nuk mund të të njoftojë ty (o Muhamed) ashtu si Ai që është i Gjithëdijshëm.

    35:14

Përkthim: Hasan Nahi