Sure 18 El Kehf, ajet 60 – 82

  1. وَإِذْ قَالَ مُوسَىٰ لِفَتَاهُ لَا أَبْرَحُ حَتَّىٰ أَبْلُغَ مَجْمَعَ الْبَحْرَيْنِ أَوْ أَمْضِيَ حُقُبًا

    (Kujto) kur Musai i tha djaloshit që e shoqëronte: “Nuk do të pushoj së ecuri, derisa të arrij në vendin ku takohen dy detet, edhe nëse do të më duhet të udhëtoj për shumë kohë.”

    18:60
  2. فَلَمَّا بَلَغَا مَجْمَعَ بَيْنِهِمَا نَسِيَا حُوتَهُمَا فَاتَّخَذَ سَبِيلَهُ فِي الْبَحْرِ سَرَبًا

    Dhe, kur arritën në vendin, ku bashkoheshin dy detet, ata e harruan peshkun e tyre dhe ai rrëshqiti në det, duke e hapur atë si tunel.

    18:61
  3. فَلَمَّا جَاوَزَا قَالَ لِفَتَاهُ آتِنَا غَدَاءَنَا لَقَدْ لَقِينَا مِنْ سَفَرِنَا هَٰذَا نَصَبًا

    Kur kaluan më tej, Musai i tha shoqëruesit të vet: “Na jep drekën tonë, sepse jemi lodhur nga ky udhëtimi ynë”.

    18:62
  4. قَالَ أَرَأَيْتَ إِذْ أَوَيْنَا إِلَى الصَّخْرَةِ فَإِنِّي نَسِيتُ الْحُوتَ وَمَا أَنْسَانِيهُ إِلَّا الشَّيْطَانُ أَنْ أَذْكُرَهُ ۚ وَاتَّخَذَ سَبِيلَهُ فِي الْبَحْرِ عَجَبًا

    Ai u përgjigj: “Shiko! Kur ndaluam tek ai shkëmbi, unë e harrova peshkun. Vetëm djalli më bëri ta harroj e nuk ta thashë se peshku mori rrugën nga deti në mënyrë të habitshme!”

    18:63
  5. قَالَ ذَٰلِكَ مَا كُنَّا نَبْغِ ۚ فَارْتَدَّا عَلَىٰ آثَارِهِمَا قَصَصًا

    (Musai) tha: “Kjo është ajo që po kërkojmë”. Andaj u kthyen nëpër gjurmët e veta,

    18:64
  6. فَوَجَدَا عَبْدًا مِنْ عِبَادِنَا آتَيْنَاهُ رَحْمَةً مِنْ عِنْدِنَا وَعَلَّمْنَاهُ مِنْ لَدُنَّا عِلْمًا

    dhe gjetën një prej robërve Tanë, të cilit i patëm dhuruar mëshirë prej Nesh dhe i kishim mësuar nga ana Jonë dije.

    18:65
  7. قَالَ لَهُ مُوسَىٰ هَلْ أَتَّبِعُكَ عَلَىٰ أَنْ تُعَلِّمَنِ مِمَّا عُلِّمْتَ رُشْدًا

    Musai i tha atij: “A mund të të pasoj ty, që të më mësosh edhe mua diçka prej diturisë së drejtë që të është dhënë ty?”

    18:66
  8. قَالَ إِنَّكَ لَنْ تَسْتَطِيعَ مَعِيَ صَبْرًا

    Ai u përgjigj: “Ti nuk mund të durosh dot me mua!

    18:67
  9. وَكَيْفَ تَصْبِرُ عَلَىٰ مَا لَمْ تُحِطْ بِهِ خُبْرًا

    E si mund të durosh (pa pyetur) para diçkaje për të cilën nuk di asgjë”?

    18:68
  10. قَالَ سَتَجِدُنِي إِنْ شَاءَ اللَّهُ صَابِرًا وَلَا أَعْصِي لَكَ أَمْرًا

    (Musai) tha: “Do të më gjesh të durueshëm, në dashtë Allahu e nuk do të të kundërshtoj për asgjë.”

    18:69
  11. قَالَ فَإِنِ اتَّبَعْتَنِي فَلَا تَسْأَلْنِي عَنْ شَيْءٍ حَتَّىٰ أُحْدِثَ لَكَ مِنْهُ ذِكْرًا

    (Hidri) i tha: “Nëse vjen pas meje, mos më pyet për asgjë, derisa të ta shpjegoj unë!”

    18:70
  12. فَانْطَلَقَا حَتَّىٰ إِذَا رَكِبَا فِي السَّفِينَةِ خَرَقَهَا ۖ قَالَ أَخَرَقْتَهَا لِتُغْرِقَ أَهْلَهَا لَقَدْ جِئْتَ شَيْئًا إِمْرًا

    Dhe kështu, u nisën. Kur hipën në një anije, ai (Hidri) hapi një vrimë poshtë. (Musai) tha: “Mos vallë, e hape vrimën për t’i mbytur udhëtarët e saj? Me të vërtetë, ke bërë punë të shumë të keqe”.

    18:71
  13. قَالَ أَلَمْ أَقُلْ إِنَّكَ لَنْ تَسْتَطِيعَ مَعِيَ صَبْرًا

    (Hidri) i tha: “A nuk të thashë se ti nuk mund të durosh me mua?”

    18:72
  14. قَالَ لَا تُؤَاخِذْنِي بِمَا نَسِيتُ وَلَا تُرْهِقْنِي مِنْ أَمْرِي عُسْرًا

    Ai u përgjigj: “Mos më qorto për atë që harrova dhe mos më ngarko me vështirësi në punët e mia!”

    18:73
  15. فَانْطَلَقَا حَتَّىٰ إِذَا لَقِيَا غُلَامًا فَقَتَلَهُ قَالَ أَقَتَلْتَ نَفْسًا زَكِيَّةً بِغَيْرِ نَفْسٍ لَقَدْ جِئْتَ شَيْئًا نُكْرًا

    Dhe që të dy vazhduan të ecin, derisa takuan një djalosh, të cilin ai (Hidri) e vrau. Tha (Musai): “Përse vrave një njeri të pafajshëm që nuk ka vrarë askënd?! Vërtet që ke bërë një punë të tmerrshme”!

    18:74
  16. قَالَ أَلَمْ أَقُلْ لَكَ إِنَّكَ لَنْ تَسْتَطِيعَ مَعِيَ صَبْرًا

    Ai u përgjigj: “A nuk të thashë se ti nuk mund të durosh me mua?”

    18:75
  17. قَالَ إِنْ سَأَلْتُكَ عَنْ شَيْءٍ بَعْدَهَا فَلَا تُصَاحِبْنِي ۖ قَدْ بَلَغْتَ مِنْ لَدُنِّي عُذْرًا

    (Musai) tha: “Nëse pas kësaj do të të pyes sërish për çfarëdo gjëje, atëherë mos më mbaj më në shoqërinë tënde! Tashmë ke arsye (të mjaftueshme) nga ana ime (për t’u ndarë prej meje)!”

    18:76
  18. فَانْطَلَقَا حَتَّىٰ إِذَا أَتَيَا أَهْلَ قَرْيَةٍ اسْتَطْعَمَا أَهْلَهَا فَأَبَوْا أَنْ يُضَيِّفُوهُمَا فَوَجَدَا فِيهَا جِدَارًا يُرِيدُ أَنْ يَنْقَضَّ فَأَقَامَهُ ۖ قَالَ لَوْ شِئْتَ لَاتَّخَذْتَ عَلَيْهِ أَجْرًا

    Dhe që të dy vazhduan të ecin, derisa arritën në një fshat dhe u kërkuan banorëve të tij, që t’u jepnin për të ngrënë, por ata nuk i pranuan mysafirë. Aty ndeshën një mur që ishte duke u rrëzuar dhe ai (Hidri) e drejtoi. (Musai) tha: “Sikur të kishe dashur ti, mund të kërkoje shpërblim për këtë.”

    18:77
  19. قَالَ هَٰذَا فِرَاقُ بَيْنِي وَبَيْنِكَ ۚ سَأُنَبِّئُكَ بِتَأْوِيلِ مَا لَمْ تَسْتَطِعْ عَلَيْهِ صَبْرًا

    Ai tha: “Kjo është ndarja ndërmjet meje dhe teje. Unë do t’i shpjegoj ty ato gjëra për të cilat nuk munde të durosh.

    18:78
  20. أَمَّا السَّفِينَةُ فَكَانَتْ لِمَسَاكِينَ يَعْمَلُونَ فِي الْبَحْرِ فَأَرَدْتُ أَنْ أَعِيبَهَا وَكَانَ وَرَاءَهُمْ مَلِكٌ يَأْخُذُ كُلَّ سَفِينَةٍ غَصْبًا

    Sa i përket anijes, ajo ishte pronë e disa të varfërve, që punonin në det. Unë desha ta dëmtoj, sepse prapa tyre gjendej një mbret i cili merrte me dhunë çdo anije të mirë.

    18:79
  21. وَأَمَّا الْغُلَامُ فَكَانَ أَبَوَاهُ مُؤْمِنَيْنِ فَخَشِينَا أَنْ يُرْهِقَهُمَا طُغْيَانًا وَكُفْرًا

    Sa për djaloshin, prindërit e tij ishin besimtarë. Ne e dinim se (dashuria për të) do t’i çonte ata në të keqe dhe mohim,

    18:80
  22. فَأَرَدْنَا أَنْ يُبْدِلَهُمَا رَبُّهُمَا خَيْرًا مِنْهُ زَكَاةً وَأَقْرَبَ رُحْمًا

    dhe dëshiruam që Zoti i tyre, në vend të atij t’u jepte një më të mirë, më të pastër dhe më të mëshirshëm.

    18:81
  23. وَأَمَّا الْجِدَارُ فَكَانَ لِغُلَامَيْنِ يَتِيمَيْنِ فِي الْمَدِينَةِ وَكَانَ تَحْتَهُ كَنْزٌ لَهُمَا وَكَانَ أَبُوهُمَا صَالِحًا فَأَرَادَ رَبُّكَ أَنْ يَبْلُغَا أَشُدَّهُمَا وَيَسْتَخْرِجَا كَنْزَهُمَا رَحْمَةً مِنْ رَبِّكَ ۚ وَمَا فَعَلْتُهُ عَنْ أَمْرِي ۚ ذَٰلِكَ تَأْوِيلُ مَا لَمْ تَسْطِعْ عَلَيْهِ صَبْرًا

    E, sa i përket murit, ai u takonte dy djelmoshave jetimë në qytet dhe, nën të gjendej një thesar i tyre. Babai i tyre kishte qenë njeri i mirë, prandaj Zoti yt dëshiroi që ata të arrinin moshën e pjekurisë e ta nxirrnin thesarin e tyre, si mëshirë nga Zoti yt. Unë këtë nuk e kam bërë sipas gjykimit tim. Ky është shpjegimi i asaj, për të cilën ti s’munde të duroje!

    18:82

Përkthim: Hasan Nahi