Sure 17 El Isra, ajet 1 – 10
-
سُبْحَانَ الَّذِي أَسْرَىٰ بِعَبْدِهِ لَيْلًا مِنَ الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ إِلَى الْمَسْجِدِ الْأَقْصَى الَّذِي بَارَكْنَا حَوْلَهُ لِنُرِيَهُ مِنْ آيَاتِنَا ۚ إِنَّهُ هُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ
I lavdëruar qoftë Ai që e mbarti robin e Tij (Muhamedin) natën nga Xhamia e Shenjtë (në Mekë) në Xhaminë e Largët (të Jerusalemit), rrethinën e së cilës e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga mrekullitë Tona. Ai, me të vërtetë, dëgjon çdo gjë dhe sheh çdo gjë.
17:1 -
وَآتَيْنَا مُوسَى الْكِتَابَ وَجَعَلْنَاهُ هُدًى لِبَنِي إِسْرَائِيلَ أَلَّا تَتَّخِذُوا مِنْ دُونِي وَكِيلًا
Ne i dhamë Musait Librin dhe e bëmë atë udhërrëfyes për bijtë e Israilit (duke u thënë): “Mos merrni mbrojtës tjetër, përveç Meje!
17:2 -
ذُرِّيَّةَ مَنْ حَمَلْنَا مَعَ نُوحٍ ۚ إِنَّهُ كَانَ عَبْدًا شَكُورًا
Ju jeni pasardhës të atyre që Ne i mbartëm me Nuhun! Ai ka qenë vërtet një rob mirënjohës.”
17:3 -
وَقَضَيْنَا إِلَىٰ بَنِي إِسْرَائِيلَ فِي الْكِتَابِ لَتُفْسِدُنَّ فِي الْأَرْضِ مَرَّتَيْنِ وَلَتَعْلُنَّ عُلُوًّا كَبِيرًا
Ne u shpallëm solemnisht në Libër bijve të Israilit: “Ju do të bëni dy herë ngatërresa në tokë dhe do të tregoni mendjemadhësi të tepërt”.
17:4 -
فَإِذَا جَاءَ وَعْدُ أُولَاهُمَا بَعَثْنَا عَلَيْكُمْ عِبَادًا لَنَا أُولِي بَأْسٍ شَدِيدٍ فَجَاسُوا خِلَالَ الدِّيَارِ ۚ وَكَانَ وَعْدًا مَفْعُولًا
Kur erdhi koha e përmbushjes së profecisë për ngatërresën e parë, Ne dërguam kundër jush disa robër Tanët, luftëtarë të fuqishëm, të cilët shkelën në çdo cep të shtëpive tuaja. Kështu u krye premtimi.
17:5 -
ثُمَّ رَدَدْنَا لَكُمُ الْكَرَّةَ عَلَيْهِمْ وَأَمْدَدْنَاكُمْ بِأَمْوَالٍ وَبَنِينَ وَجَعَلْنَاكُمْ أَكْثَرَ نَفِيرًا
Pastaj jua kthyem juve sërish fitoren kundër tyre, ju ndihmuam me pasuri e djem dhe jua shtuam numrin e ushtarëve.
17:6 -
إِنْ أَحْسَنْتُمْ أَحْسَنْتُمْ لِأَنْفُسِكُمْ ۖ وَإِنْ أَسَأْتُمْ فَلَهَا ۚ فَإِذَا جَاءَ وَعْدُ الْآخِرَةِ لِيَسُوءُوا وُجُوهَكُمْ وَلِيَدْخُلُوا الْمَسْجِدَ كَمَا دَخَلُوهُ أَوَّلَ مَرَّةٍ وَلِيُتَبِّرُوا مَا عَلَوْا تَتْبِيرًا
Nëse bëni mirësi, e keni bërë për veten tuaj. E, nëse bëni keq, ia keni bërë po vetes. Kur erdhi koha e përmbushjes së profecisë për ngatërresën e dytë, Ne i dërguam (armiqtë tuaj) për t’jua nxirë fytyrat tuaja dhe që të hyjnë në tempull, siç patën hyrë herën e parë dhe të shkatërrojnë plotësisht çdo gjë që pushtonin.
17:7 -
عَسَىٰ رَبُّكُمْ أَنْ يَرْحَمَكُمْ ۚ وَإِنْ عُدْتُمْ عُدْنَا ۘ وَجَعَلْنَا جَهَنَّمَ لِلْكَافِرِينَ حَصِيرًا
Ndoshta, Zoti juaj, do t’ju mëshirojë, por, nëse ju ktheheni (në gjynahe), Ne do t’u kthehemi (ndëshkimeve ndaj jush). Dhe Xhehenemin e kemi bërë burg për mohuesit.
17:8 -
إِنَّ هَٰذَا الْقُرْآنَ يَهْدِي لِلَّتِي هِيَ أَقْوَمُ وَيُبَشِّرُ الْمُؤْمِنِينَ الَّذِينَ يَعْمَلُونَ الصَّالِحَاتِ أَنَّ لَهُمْ أَجْرًا كَبِيرًا
Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh.
17:9 -
وَأَنَّ الَّذِينَ لَا يُؤْمِنُونَ بِالْآخِرَةِ أَعْتَدْنَا لَهُمْ عَذَابًا أَلِيمًا
Ndërsa atyre që nuk besojnë në jetën tjetër, Ne u kemi përgatitur dënim të dhembshëm.
17:10
Përkthim: Hasan Nahi