Sure 16 En Nahl, ajet 26 – 34

  1. قَدْ مَكَرَ الَّذِينَ مِنْ قَبْلِهِمْ فَأَتَى اللَّهُ بُنْيَانَهُمْ مِنَ الْقَوَاعِدِ فَخَرَّ عَلَيْهِمُ السَّقْفُ مِنْ فَوْقِهِمْ وَأَتَاهُمُ الْعَذَابُ مِنْ حَيْثُ لَا يَشْعُرُونَ

    Edhe popujt që ishin para tyre (paganëve të Mekës), kanë kurdisur dredhi. Por Allahu ua rrënoi godinën që nga themelet, kështu që kulmi i saj ra mbi ta dhe dënimi u erdhi andej nga nuk e prisnin.

    16:26
  2. ثُمَّ يَوْمَ الْقِيَامَةِ يُخْزِيهِمْ وَيَقُولُ أَيْنَ شُرَكَائِيَ الَّذِينَ كُنْتُمْ تُشَاقُّونَ فِيهِمْ ۚ قَالَ الَّذِينَ أُوتُوا الْعِلْمَ إِنَّ الْخِزْيَ الْيَوْمَ وَالسُّوءَ عَلَى الْكَافِرِينَ

    Pastaj, në Ditën e Kiametit, Ai do t’i turpërojë e do t’u thotë: “Ku janë “ortakët” e Mi, për shkak të të cilëve grindeshit (me besimtarët)?” Ata të cilëve u është dhënë dituria, do të thonë: “Me të vërtetë, sot poshtërimi dhe dënimi do të bjerë mbi jobesimtarët,

    16:27
  3. الَّذِينَ تَتَوَفَّاهُمُ الْمَلَائِكَةُ ظَالِمِي أَنْفُسِهِمْ ۖ فَأَلْقَوُا السَّلَمَ مَا كُنَّا نَعْمَلُ مِنْ سُوءٍ ۚ بَلَىٰ إِنَّ اللَّهَ عَلِيمٌ بِمَا كُنْتُمْ تَعْمَلُونَ

    të cilëve engjëjt ua marrin shpirtin, duke qenë të padrejtë ndaj vetvetes. Ata do të shfaqin përulësi (duke thënë): “Ne nuk kemi bërë asgjë të keqe!” (Dhe do t’u thuhet): “Nuk është kështu! Natyrisht që Allahu i di mirë veprat që keni punuar.

    16:28
  4. فَادْخُلُوا أَبْوَابَ جَهَنَّمَ خَالِدِينَ فِيهَا ۖ فَلَبِئْسَ مَثْوَى الْمُتَكَبِّرِينَ

    Hyni në portat e Xhehenemit, ku do të mbeteni përgjithmonë!” Eh, sa vendbanim i shëmtuar është ai për mendjemëdhenjtë!

    16:29
  5. وَقِيلَ لِلَّذِينَ اتَّقَوْا مَاذَا أَنْزَلَ رَبُّكُمْ ۚ قَالُوا خَيْرًا ۗ لِلَّذِينَ أَحْسَنُوا فِي هَٰذِهِ الدُّنْيَا حَسَنَةٌ ۚ وَلَدَارُ الْآخِرَةِ خَيْرٌ ۚ وَلَنِعْمَ دَارُ الْمُتَّقِينَ

    Ndërsa atyre që e kanë frikë Allahun, do t’u thuhet: “Çfarë ju ka shpallur Zoti juaj?” - Ata do të thonë: “Mirësi!” Ata që bëjnë vepra të mira në këtë botë, do të kenë mirësi; në botën tjetër do të kenë edhe më të mira. Sa e mrekullueshme do të jetë shtëpia e atyre që i frikësohen Allahut!

    16:30
  6. جَنَّاتُ عَدْنٍ يَدْخُلُونَهَا تَجْرِي مِنْ تَحْتِهَا الْأَنْهَارُ ۖ لَهُمْ فِيهَا مَا يَشَاءُونَ ۚ كَذَٰلِكَ يَجْزِي اللَّهُ الْمُتَّقِينَ

    Ata do të hyjnë në Xhenetet e Adnit, ku rrjedhin lumenj dhe ku ka gjithçka, që ata dëshirojnë. Kështu i shpërblen Allahu punëmirët,

    16:31
  7. الَّذِينَ تَتَوَفَّاهُمُ الْمَلَائِكَةُ طَيِّبِينَ ۙ يَقُولُونَ سَلَامٌ عَلَيْكُمُ ادْخُلُوا الْجَنَّةَ بِمَا كُنْتُمْ تَعْمَلُونَ

    të cilëve engjëjt ua marrin shpirtrat, duke qenë të pastër. U thonë atyre: “Shpëtimi qoftë mbi ju! Hyni në Xhenet, si shpërblim për veprat që keni kryer!”

    16:32
  8. هَلْ يَنْظُرُونَ إِلَّا أَنْ تَأْتِيَهُمُ الْمَلَائِكَةُ أَوْ يَأْتِيَ أَمْرُ رَبِّكَ ۚ كَذَٰلِكَ فَعَلَ الَّذِينَ مِنْ قَبْلِهِمْ ۚ وَمَا ظَلَمَهُمُ اللَّهُ وَلَٰكِنْ كَانُوا أَنْفُسَهُمْ يَظْلِمُونَ

    A mos presin ata gjë tjetër, veç ardhjes së engjëjve apo të urdhrit të Zotit tënd?! Kështu bënë edhe ata që qenë para këtyre. Allahu nuk u bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë të keqen vetes.

    16:33
  9. فَأَصَابَهُمْ سَيِّئَاتُ مَا عَمِلُوا وَحَاقَ بِهِمْ مَا كَانُوا بِهِ يَسْتَهْزِئُونَ

    E kështu, mbi ta ra dënimi për veprat që bënë dhe i kaploi ajo me të cilën talleshin.

    16:34

Përkthim: Hasan Nahi